Efektivët e policisë në Sarandë kanë vënë në pranga dy persona, të cilët akuzohen për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.
Në lagjen nr. 1 të qytetit, shërbimet e policisë arrestuan shtetasin Florian Gjonça, 21 vjeç, banues në Sarandë. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kanabis. Dyshohet se 21-vjeçari e shpërndante lëndën narkotike në doza të vogla, kryesisht në lokalet e natës të qytetit.
Ndërkohë, në një rast tjetër, u ndalua një automjet tip “Audi”, ku gjatë kontrollit u gjet një armë sportive e markës “Gamo”, e cila mbahej pa leje. Efektivët ndaluan drejtuesin e mjetit, 44-vjeçarin Arkad Hadushi, gjithashtu banues në Sarandë.
Arma u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe ndaj 44-vjeçarit nisi procedimi penal për mbajtje të armës pa leje. Materialet në lidhje me të dy rastet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. (A2 Televizion)