Të dielën Belgjika u trondit nga një ngjarje e paprecedentë, pasi trupi i një burri, që besohet të jetë me origjinë shqiptare, u gjet i varur në një tabelë rrugore.
Trupi i pajetë u gjet nga policia në zonën e Anderlecht, pranë Qendrës tregtare Westland. "Trupi i një burri 29-vjeçar u zbulua në Unazën e Brukselit, pranë Anderlecht, në kufirin me Dilbeek", konfirmoi kjo e fundit.
Ky rast sipas mediave belge të kujton metodat e përgjakshme të përdorura nga bandat e trafikut të drogës, që kryejnë vrasje për të mbjellë frikë në Bruksel.
Policia shkoi në vendngjarje, e shoqëruar nga Zyra e Prokurorit Publik të Brukselit, të cilët nuk përjashtojnë pistën e vetëvrasjes në këtë fazë.
Megjithatë, rasti po cilësohet si një akt me dhunë ekstreme. Trupi u gjet pranë ‘Westland Shopping’, që ndodhet jo larg nga qyteti i Peterbos, një vend strategjik për trafikun e drogës në Bruksel.
Edhe pse nuk është vërtetuar një lidhje mes bandës së Peterbos dhe trupit të gjetur të varur, ky është një rast tjetër i dhunës në një zonë të ndjeshme të Brukselit.
Nëse lidhja me trafikun e drogës do të konfirmohet në ditët e ardhshme, incidenti i kësaj të diele do ta zhvendosë kryeqytetin në një kontekst të paprecedent. “Ngjan me metodat e karteleve meksikanë”, thotë një burim i informuar.
Këto kartele janë të njohur për dhunën ekstreme dhe përdorimin e metodave brutale të represionit ndaj rivalëve, tradhtarëve ose atyre që nuk respektojnë rregullat e tyre. Disa raste të varjes publike janë regjistruar në Meksikë vitet e fundit, në lidhje direkte me këto banda, përfshirë kartelin më të njohur, atë të Sinaloas, të udhëhequr nga Joaquin Guzman, i njohur si “El Chapo”.
Në një intervistë për ‘Het Laatste Nieuës’ në gushtin e kaluar, Eric Jacobs, drejtori i Policisë Gjyqësore Federale të Brukselit, vëzhgonte praninë në kryeqytet të mafies së Marsejës, të famshmes “Mocro-Mafia”, të rrjeteve shqiptare dhe bandave me origjinë nga Afrika e Veriut.
“Të gjithë përdorin të njëjtat metoda: kërcënim dhe vrasje”, thoshte Eric Jacobs. “Çfarë shohim është vetëm maja e ajsbergut. Ndodhin shumë gjëra më shumë në botën e nëndheshme: kërcënime, intimidime… dhe po, edhe tortura. Ne nuk kemi raste aktive të torturave, por kemi zbuluar raste të tilla pas dekodimit të komunikimeve të fshehta. Këto janë teknika të mafias”, tha drejtori i policisë gjyqësore federale në gusht. (A2 Televizion)