Emërohen shefat e rinj të komisariateve, një grua në krye të Policisë së Kuçovës

Nga A2 CNN
12 Korrik 2025, 13:19 | Kronikë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda ka firmosur të tjera ndryshime në Drejtoritë Vendore. Thuajse të gjitha komisariatet e vendit do të kenë drejtues të rinj.

Edjona Dano, e cila do të drejtojë Komisariatin e Policisë së Kuçovës është një ndër emrat që bie në sy. Dano ishte e vetmja grua që garoi për shef komisariati dhe u shpall në listën fituese, si dhe u kualifikua fituese edhe në mesin e 290 garuesve që synonin në fund të vitit të kaluar për të qenë shefa komisariatesh.

Ky është emërimi i dytë në historinë 35-vjeçare të emërimit të një gruaje në krye të një komisariati. Anila Popa ka shërbyer në komisariatin e Librazhdit për disa muaj në vitin 2016.

Përveç Kuçovës Ilir Proda ka firmosur ndryshime edhe në komisariatet e tjera të vendit nga Dibra në veri dhe deri në Himarë e Sarandë në jug.

Të premten Proda bëri ndryshime në 7 komisariate, 5 prej tyre në Tiranë ndërsa më herët shkarkoi edhe zinxhirin drejtues të Policisë së Shkodrës. Proda ka paralajmëruar të gjithë Drejtorët Vendorë të Policisë në qarqe se do të mbajnë përgjegjësi direkte nëse lejojnë ushtrimin e veprimtarive të paligjshme në zonat që ata ushtrojnë funksionin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos