EMRI/ Zbulohet identiteti i shqiptarit që u arratis nga burgu grek

Nga A2 CNN
12 Shtator 2026, 10:31 | Kronikë

EMRI/ Zbulohet identiteti i shqiptarit që u arratis

Zbulohet identiteti i 41-vjeçarit shqiptar që u arratis mbrëmjen e së premtes nga Spitali i Serres në Greqi. Bëhet fjalë për Gentian Çipin, lindur në Korçë dhe banues në Dishnicë.

Çipi u arratis në mënyrë spektakolare gjatë transferimit nga burgu i Nigritës drejt spitalit të Serres, ku ishte dërguar për trajtim mjekësor. Sipas informacioneve të raportuara nga mediat greke, bashkëpunëtorë të tij të armatosur i bënë pritë automjetit të transportit dhe, nën kërcënimin e kallashnikovëve, neutralizuan shoqëruesit.

Autorët dyshohet se përdorën automjete që ngjanin me mjetet e policisë, duke bërë që shoqëruesit fillimisht të mendonin se bëhej fjalë për forca policore. Më pas, të armatosur, ata nxorën 41-vjeçarin nga furgoni dhe u larguan me të. Gjatë arratisjes, sipas informacioneve paraprake, u mor edhe arma e shërbimit të një prej punonjësve të burgut.

Gentian Çipi rezulton të ketë precedentë penalë në Shqipëri dhe Greqi. Në Shqipëri, ai është dënuar në korrik 2024 me 2 vite burgim për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim dhe në rrethana rënduese.

Ai ishte akuzuar për djegien e një automjeti më 24 prill 2023, në lagjen 13 në Korçë.

Më herët, në janar 2023, në kuadër të operacionit policor “Fijet”, Çipi ishte proceduar pasi pranë banesës së tij ishin konstatuar kamera të vendosura në mënyrë të paligjshme.

I dyshuar për tentativë vrasjeje në Selanik

Në shtator 2024, Gentian Çipi dyshohet se hapi zjarr në zonën e Pylaia-s në Selanik, duke tentuar të vriste një 25-vjeçar grek jashtë një kantine. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos