
Tre persona janë arrestuar nga Policia e Fierit, pasi dyshohen si autorë të disa vjedhjeve të banesave në Patos, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur nëse janë të përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale në qarqet Fier dhe Gjirokastër.
Në pranga kanë rënë Fation Gjojdeshi, 43 vjeç, banues në Gjirokastër; Ismail Isomati, 41 vjeç, banues në Tepelenë; dhe Dorian Alikaj, 31 vjeç, banues në Gjirokastër.
Sipas Policisë, tre të dyshuarit u kapën në flagrancë në qendër të Patosit, teksa lëviznin me një automjet. Gjatë kontrollit fizik, njërit prej tyre iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike cannabis sativa. Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesës së njërit prej të arrestuarve, u gjet dhe u sekuestrua një tjetër sasi cannabis sativa.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se më 5 dhe 6 gusht, në lagjen “1 Maji” dhe në fshatin Dukas të Patosit, tre personat dyshohet se kanë vjedhur në dy banesa. Sipas Policisë, prej tyre janë marrë bizhuteri floriri, 3500 euro dhe dy telefona celularë.
Ndërkohë, më 9 shtator, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata dyshohet se kanë tentuar të vjedhin edhe në dy banesa në fshatin Zharrëz. (A2 Televizion)