Kryepolici i ri të vendit vijon të jetë ende enigmë, edhe pse duhej të ishte bërë publik që në datën 26 mars emri i kandidatit të cilin ministri i propozon këshillit të ministrave për miratim. Pas skadimit të afatit prej 48 orësh nga përfundimi i seancës së fundit dëgjimore me 14 kandidatët për postin e kryepolicit, Ministria e Brendshme ende nuk ka bërë publike listën e vlerësimit me pikë të kandidatëve, shkruan A2 CNN.
Seanca e fundit dëgjimore me kandidatët u mbajt pasditen e datës 24 mars. Dhe sipas ligjit deri më datë 26 mars duhej të bëhej publik pikëzimi i kandidatëve dhe emri i më të vlerësuarit, procedurë që ende nuk është kryer. Duke e krahasuar me konkursin e 17 muajve më parë, kur kryepolic u zgjodh Ilir Proda, pas përfundimit të seancave dëgjimore, brenda 48 orëve, u publikua emri i fituesit.
Ligji për përzgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të policisë thotë se: Brenda 48 orëve nga seanca e fundit dëgjimore, Komisioni përpunon të dhënat dhe harton tabelën përfundimtare të vlerësimit të kandidatëve. Komisioni rendit kandidatët sipas pikëve të marra, duke filluar nga kandidati që ka marrë më shumë pikë.
Më tej ligji parashikon se në përfundim të renditjes, ministri i propozon Kryeministrit një nga kandidatët me vlerësimin më të lartë. Propozimi i ministrit shoqërohet me një relacion, i cili shpjegon procesin e ndjekur, kandidatët që u kualifikuan si dhe shkaqet për propozimin e kandidatit përkatës për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Vonesa e emrit të fituesit tregon se për postin e kryepolicit të ri po zhvillohet një garë e fortë lobimesh. Në listën e kandidatëve që pritet të jenë më të vlerësuarit dhe që "luftojnë" postin e kryepolicit janë Lorenc Panganika, Pëllumb Seferi, Skënder Hitaj, Tonin Vocaj, Elidon Çela dhe Afrim Tafa. (A2 Televizion)