Flasin prindërit e 14-vjeçarit të vrarë me thikë në Korçë: Drejtësia e vrau për herë të dytë djalin tonë

Nga Artin Halili
5 Dhjetor 2025, 17:10 | Kronikë

Flasin prindërit e 14-vjeçarit të vrarë me thikë

Prindërit e 14-vjeçarit Eraldo Xhejo, i cili u vra në gusht të këtij viti në fshatin Pirg të bashkisë Maliq, kanë folur për herë të parë për median, duke shprehur dhimbjen e madhe dhe shqetësimin për vendimet e fundit të gjykatës.

Eraldo humbi jetën pas një konflikti me një tjetër 14-vjeçar, Enedio Guri, i cili e goditi me thikë. Në ngjarje u përfshinë edhe babai dhe xhaxhai i autorit, të cilët u arrestuan si bashkëpunëtorë, për fshehje të provave dhe ndihmë ndaj autorit.

Por para dy javësh, Gjykata e Apelit në Tiranë i liroi nga burgu, duke i çuar në arrest shtëpie, një vendim që ka tronditur familjen Xhejo.

“Vrasja e dytë e djalit tonë,” e quajnë prindërit e Eraldo Xhejo, duke shprehur zhgënjimin e thellë për sistemin e drejtësisë. Babai i djalit, Edi Xhejo, tregon se xhaxhai dhe babai i autorit kishin fshehur thikën dhe nuk kishin parandaluar ngjarjen. Ai shton se gjykata nuk mori parasysh as gjendjen e autorit dhe as dhimbjen e familjes së viktimës, shkruan A2 CNN.

Në një reagim të saj, Albina Xhejo shprehet: “Ndihem e shkatërruar. Djali ynë nuk kthehet më, e vetmja gjë që na ngushëllon është drejtësia. Nuk mund të rrinë prindërit e autorit si pa gjë në shtëpi. Gjykatësja duhet të vendosë drejtësi me dorë në zemër, duke menduar për fëmijët dhe të ardhmen e tyre.”

Prindërit theksojnë shqetësimin se lirimi i babait dhe xhaxhait të autorit mund të rrezikojë rendin dhe sigurinë e komunitetit dhe kërkojnë që drejtësia të veprojë me vendosmëri, duke garantuar përgjegjësinë për çdo akt kriminal. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos