
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë sot një sqarim publik lidhur me ecurinë procedurale në ngarkim të ish-kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë.
Sipas njoftimit, dosja i është dërguar për gjykim Gjykatës së Posaçme më 10 shtator 2025, ndërsa më 29 shtator 2025 është caktuar seanca e parë e gjykimit paraprak. SPAK thekson se deri tani janë shtyrë tetë seanca gjyqësore, kryesisht për shkak të mungesave të pajustifikuara të mbrojtësve të të pandehurve dhe kërkesave të konsideruara të pabazuara, çka ka penguar përmbylljen e kësaj faze brenda afateve ligjore, shkruan A2 CNN.
Në lidhje me pretendimet e përsëritura të Veliajt për mosnjohje me aktet e procedimit, Prokuroria e Posaçme deklaron se ka përmbushur plotësisht detyrimet që rrjedhin nga neni 327 i Kodit të Procedurës Penale. Sipas SPAK, brenda afatit të nenit 324, i pandehuri dhe mbrojtësit e tij janë njoftuar për përfundimin e hetimeve dhe për të drejtën për t’u njohur me aktet.
Avokatët e Veliajt, më 24 korrik 2025, kanë marrë pa kosto një kopje të plotë të akteve të dosjes 27/2024, gjë e dokumentuar me procesverbalin përkatës. Më tej, më 10 tetor 2025, njëri prej avokatëve ka dorëzuar një kërkesë tjetër për marrjen e akteve shtesë që pasqyrojnë veprimet hetimore të periudhës korrik–shtator 2025. Në këtë kërkesë, vetë avokati pranon se më 23 korrik 2025 i është vënë në dispozicion një USB me materialet e dosjes.
SPAK thekson se çdo komunikim dhe shkëmbim i mëtejshëm dokumentacioni mes të pandehurit dhe mbrojtësit të tij është çështje që i përket marrëdhënies së tyre profesionale, dhe nuk lidhet me përgjegjësinë e organit procedues.
Prokuroria e Posaçme nënvizon se vijon të garantojë respektimin e ligjit dhe zhvillimin e një procesi gjyqësor të rregullt, të paanshëm dhe transparent. (A2 Televizion)