
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur vendimin për çështjen penale në ngarkim të Florian Habilajt, Armando Sulajt, Sabaudin Çelajt dhe Tigrens Mëzurajt, pas kërkesës së depozituar nga Prokuroria e Posaçme. Gjykimi u zhvillua me procedurë të shkurtuar, duke çuar në uljen përfundimtare të dënimeve me një të tretën, sipas parashikimeve ligjore.
Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtaret Esmeralda Xhili, Arbana Selmanaj dhe Migena Laska, vendosi: Florian Habilaj u deklarua fajtor për tri akuza: “Trafikimi i narkotikëve” mbetur në tentativë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Trafikimi i narkotikëve” në bashkëpunim si pjesë e grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”. Për këto vepra, në total ai u dënua me 15 vjet burg, të konvertuara në 10 vjet pas uljes me një të tretën. Habilaj do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.
Armando Sulaj u dënua për “Trafikim narkotikësh” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Dënimi i bashkuar prej 9 vitesh, pas aplikimit të procedurës së shkurtuar, u reduktua në 6 vjet burgim, që do të kryhen në një institucion të sigurisë së lartë, shkruan A2 CNN.
Edhe Sabaudin Çelaj u shpall fajtor për të njëjtat dy vepra penale, duke marrë një dënim total prej 15 vitesh, i reduktuar në 10 vjet burgim pas zbritjes ligjore.
Ndërsa Tigrens Mëzuraj u dënua me 9 vite burgim, të ulura në 6 vjet pas zbatimit të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale. (A2 Televizion)