Policia e Dibrës ka vënë në pranga drejtuesin e automjetit tip “Golf”, i cili teksa voziste në gjendje të dehur përplasi një oficer policie në rrugë, duke e lënë të plagosur rëndë.
Uniformat Blu bëjnë me dije se për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në vendin e quajtur “Kryqëzimi Velia”, është arrestuar Alban Shoti.
“Ju informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin A.Sh. (M), 27 vjeç, banues në Dibër, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, "Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt’”, informon policia.
27-vjeçari përplasi efektivin Veli Gjura, teksa ky i fundit ishte në detyrë duke menaxhuar trafikun në kuadër të takimit elektoral përmbyllës të Partisë Demokratike në Peshkopi.
“27-vjeçari, teksa drejtonte automjetin e tij në gjendje të dehur, humbi kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti përplasi punonjësin e Policisë, shtetasin V.Gj., 64 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve”, sqaron më tej policia.
Sakaq, nga aksidenti mbeti i lënduar edhe një 20-vjeçar, i cili po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Peshkopisë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)