Për të dytën herë GJKKO kthen në SPAK për plotësim të hetimeve dosjen ndaj ish-deputetit, Asllan Dogjani. Pas 3 muajsh kohë të dhëna herën e parë, sot Gjykata e Posaçme i ka dhënë edhe 1 muaj kohë për disa veprime hetimore.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Dogjani mohoi çdo përfshirje në korrupsion dhe e cilësoi të gjithë procesin si të dirigjuar politikisht. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për kapjen e institucioneve dhe sistemit të drejtësisë, duke thënë se çështja ndaj tij është e fabrikuar për shkak të qëndrimeve të tij politike, shkruan A2 CNN.
“Pavarësisht se nuk do të jem në Parlament jam deputet i popullit dhe atyre njerëzve që më kanë votuar, do të bëj gjithçka për ta. Edi Rama ka kapur gjithçka, ka kontrolluar gjithçka. Ka kapur edhe sistemin e drejtësisë. Sot është bërë një seancë normale, erdhi organi i akuzës për veprimet që i kishte lënë Gjykata. Gjykata i tha do kryesh edhe detyra të tjera e do vish pas 1 muaji. Kjo çështje është dirigjuar nga Edi Rama. Nuk jam këtu se kam bërë korrupsion, por se po fole kur është Edi Rama në pushtet është krim. Por unë nuk dorëzohem”, u shpreh Dogjani.
I pyetur nëse Berisha duhet të mbajë përgjegjësi për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, Dogjani akuzoi Ramën.
“Përgjegjësi duhet të mbajë Edi Rama për votat e vjedhura. Nuk është dëm vetëm për ne, por për qytetarët, për Shqipërinë. Ne nuk do të dorëzohemi. Jam votuar nga 7 mijë qytetarë, do të jem zëri i tyre. Do të jem në mbrojtje të tyre. Pavarësisht dhunës dhe presioneve, por kur më bëjnë presion jam edhe më i fuqishëm”. (A2 Televizion)