Gjykata e Lartë e le në burg, zbulohen arsyet. Pse ofroi garanci pasurore Erion Veliaj

Nga Armand Bajrami
2 Tetor 2025, 18:07 | Kronikë

Për të dytën herë brenda katër muajsh, Gjykata e Lartë vendosi t’i thotë “jo” një kërkese për liri të Erion Veliajt.  

Një Kolegj Penal refuzoi rekursin e bërë prej tij, duke lënë kështu në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-kryebashkiakun e Tiranës, masë që e vuan prej shkurtit të këtij viti. Në Gjykatën e Lartë, ish-zyrtari i lartë i marrë i pandehur nga SPAK për 5 vepra penale, kërkonte zëvendësimin e masës së arrestit me atë të “garancisë pasurore”. Kërkesën për ta nxjerrë nga burgu, ish-kryebashkiaku e depozitoi javën e parë të shtatorit, por pak ditë më parë, përmes avokatëve, ai dorëzoi një material shtesë, ku përditësonte gjyqtarët e lartë me zhvillimet në Bashkinë e Tiranës, shkruan A2.

Përmes një memoje, duke cituar vendimin e Këshillit të Ministrave, Veliaj i bënte me dije Gjykatës së Lartë se ishte shkarkuar si kryebashkiak. Ai kërkonte që ky fakt të merrej në konsideratë, pasi si i tillë, nuk mund të ndikonte mbi asnjë lloj prove dhe nuk mund të sillte asnjë pengesë për SPAK.  

Mes arsyeve përse duhet të lirohej, në memo përmendej se mirëqenia emocionale e të birit të tij të mitur ishte përkeqësuar në muajt e mungesës së tij në shtëpi, se bashkëshortes i ishte bllokuar pasaporta, duke mos pasur kështu asnjë rrezik potencial largimi dhe se pasuritë e tyre, apo të pretenduara si të zotëruara prej tyre, ishin të sekuestruara.

Por, të gjithë pretendimet e ngritura duket se nuk bindën për të kundërtën Kolegjin Penal. Dosja penale ndaj Erion Veliajt dhe 29 të bashkëpandehurve të tij ndodhet në fazën e shqyrtimit paraprak në Gjykatën e Posaçme. Në këtë dosje, ish-kryebashkiaku akuzohet për “korrupsion” në 9 episode, “pastrim të parave”, “shpërdorim të detyrës”, “fshehje e mosdeklarim të pasurisë” dhe “futje të sendeve të ndaluara në burg” në dy raste.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos