Autoritetet belge kanë zhvilluar një operacion kundër një grupi shqiptar të dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine. Tetë persona kanë përfunduar në pranga. Në mesin e personave me masë sigurie është edhe Gerd Gjinarari, 52 vjeç, i njohur me nofkën “Gjenerali”, i cili u arrestua më 15 qershor në Belgjikë për llogari të Shqipërisë dhe Italisë.
Hetimi për grupin e drogës kishte nisur rreth një vit më parë, kur policia belge mori informacion se një apartament në Antwerp shërbente për fshehjen e sasive të mëdha të kokainës.
Policia kishte sekuestruar dy ngarkesa kokaine, me peshë 46 dhe 53 kilogramë. Në kontrollet e fundit, në zona të ndryshme të Brukselit, u zbuluan armë e municione të fshehura, jelekë antiplumb, pajisje për bllokimin e sinjalit dhe para cash.
Gerd Gjinarari mësohet se ishte identifikuar më herët. Disa muaj pas arrestimit të parë, tashmë përballet me akuza të reja, këtë herë në kuadër të hetimit belg për trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Pas arrestimit më 15 qershor, autoritetet shqiptare kishin nisur procedurat për ekstradimin e tij. Ai është shpallur fajtor për vrasjen e Naim Zyberit, një prej personazheve të njohur të botës së krimit në kryeqytet gjatë viteve ’90.
Për këtë ngjarje, Gjinarari u dënua me burgim të përjetshëm nga drejtësia italiane në vitin 2014 dhe u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin. Por, në vitin 2019, ai u lirua me kusht nga Gjykata e Korçës, vendim i cili u rrëzua nga Apeli, duke urdhëruar rikthimin e tij në burg për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Pas këtij vendimi, Gjinarari u shpall në kërkim ndërkombëtar. Krimi për të cilin është shpallur fajtor ka ndodhur në vitin 1997, në një spital të Milanos, ku Naim Zyberi po merrte trajtim mjekësor.
Sipas hetimeve, ai, së bashku me Arben Grorin, kanë hyrë në dhomën e spitalit duke u paraqitur si të afërm të Zyberit dhe e kanë vrarë me armë zjarri. (A2 Televizion)