Grabitësit përplasen me armë më policinë në Sukth, njëri plagoset, tjetri arrestohet

Nga A2 CNN
24 Gusht 2025, 09:12 | Kronikë

Grabitësit përplasen me armë më policinë në Sukth,

Dy persona të cilët kishin vjedhur një automjet dhe e përdorën për të grabitur me dhunë një karburant në Sukth shkëmbyen zjarr me Policinë gjatë ndjekjes në autostradën Durrës-Tiranë.

Ata u pikasën në zonën “Çifligu” në Sukth rreth orës 01:00, dhe shërbimet e policisë u vunë në ndjekje të automjetit të tyre. Automjeti po lëvizte me shpejtësi të madhe dhe për pasojë ka dalë nga rruga tek rrethrrotullimi i mbikalimit në rrugën dytësore në Vorë, dhe gjatë kësaj kohe, u hap zjarr ndaj policisë.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, njëri prej autorëve, 28-vjeçari Ardit Domi mbeti i plagosur dhe ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa bashkëpunëtori i tij,Lorenc Çali, 27 vjeç, u neutralizua dhe u arrestua.

Policia sekuestroi një armë zjarri automatik kallashnikov me dy krehra fishekësh.

“Rreth orës 01:00 të mëngjesit të sotëm, në autostradën Durrës-Tiranë, te "Çifligu" në Sukth, shërbimet e Policisë konstatuan automjetin e vjedhur më datë 20.08.2025, në orën 20:30, në Sektor Rinia, Durrës, me të cilin, më datë 21.08.2025, rreth orës 03:40, sipas njoftimit të një shtetasi të punësuar në një karburant në Sukth, ishte grabitur me dhunë shuma e lekëve të xhiros.

Shërbimet e Policisë së Durrësit u vunë në ndjekje të automjetit, i cili po lëvizte me shpejtësi në drejtim të Tiranës, dhe u njoftua edhe DVP Tiranë për ndihmë.

Si pasojë e shpejtësisë së madhe, pa shkuar në Vorë, tek rrethrrotullimi i mbikalimit në rrugën dytësore që shkon për Shijak, automjeti doli nga rruga dhe, gjatë kësaj kohe, nga brenda tij u hap zjarr ndaj punonjësve të Policisë, të cilët, të gjendur përballë kësaj situate, u përgjigjën me zjarr, në kushtet e mbrojtjes së nevojshme. Si pasojë, u plagos njëri nga autorët, shtetasi A. D., 28 vjeç, banues në Bilalas, Shijak, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Personi tjetër, shtetasi L. Ç., 27 vjeç, banues në Bilalas, Shijak, pasi bëri rezistencë me armë ndaj punonjësve të Policisë, duke rrezikuar jetën e tyre, u neutralizua dhe u kap nga shërbimet e Policisë Durrës.

Gjatë veprimeve të Policisë së Durrësit, kanë ardhur në mbështetje edhe forcat e Policisë së DVP Tiranë.

Në vendin e ngjarjes u gjet një armë zjarri automatik me 2 krehra, e përdorur nga dy personat e sipërpërmendur.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna nga Sektori për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në DVP Durrës, për dokumentimin e ngjarjes së ndodhur”, njofton Policia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos