Në dy çështje të ndryshme Gjykata e Tiranës ka dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg një person të akuzuar për dhunimin e një mjeku kardiolog, ndërsa ka dërguar në gjykim një tjetër të akuzuar për dhunimin e një dentisti.
Sipas vendimeve përkatëse, të siguruara nga A2 CNN, dhuna ndaj kardiologut është shënuar në prill të vitit 2022 në një klinikë private në Tiranë. Pasi ka shkuar për një konsultë me mjekun specialist, i pandehuri me iniciale L. I., i gjykuar në mungesë në Gjykatën e Tiranës, është konfliktuar me mjekun. Sipas gjykatës, pasi i ka drejtuar disa pyetje mbi ecurinë e kontrolleve, pacienti i ka kërkuar mjekut CD-në e skanerit.
Pasi e ka marrë ai e ka kërcunuar verbalisht mjekun, i cili i ka thënë “Ik shiko veten tënde”. Referuar vendimit, pas kësaj fjale i pandehuri ka qëlluar mjekun me një kosh që mbante çadrat dhe të dy janë konfrontuar fizikisht, por pacienti dhe dy miq të tij e kanë hedhur nga shkallët e klinikës. Sipas akt-ekspertimit, në trupn e mjekut janë konstatuar dërrmishtje dhe shembje të indeve të buta të gjunjëve, dëmtime që i kanë sjellë humbje të aftësisë për punë deri në nëntë ditë. I pandehuri L. I. është fajësuar nga Gjykata e Tiranës për “goditje për shkak të detyës” dhe është dënuar me 4 vjet e 6 muaj heqje lirie, shkruan A2 CNN.
Ndërsa çështja tjetër penale i përket një episodi të ndodhur një klinikë dentare private në kryeqytet në shtator 2022. Sipas vendimit të gjykatës për kalimin në gjyq të çështjes, i pandehuri me iniciale J. J. ka dhunuar drejtuesin e klinikës, pas pakënaqësisë nga shërbimi i marrë. I pandehuri ka marrë shërbim të rregullimit të dhëmbëve nga klinika, por më pas, me pretendimin se ka pasur dhimbje, ka kërkuar kthimin e shumës së paguar. Në një përballje me mjekun stomatolog, i pandehuri e ka qëlluar me grusht. Ndonëse më pas ka normalizuar marrëdhëniet me dentistin dhe ka kërkuar tërheqjen e kallëzimit, dosja në ngarkim të tij ka shkuar për gjykim për akuzën e “goditjes për shkak të detyrës”. (A2 Televizion)