Gushti shënon rekord aksidentesh në Fier, pasoja në jetë njerëzish

Nga Çaku Tafa
26 Gusht 2025, 12:51 | Kronikë

Gushti shënon rekord aksidentesh në Fier, pasoja në jetë

Muaji gusht ka shënuar një numër të lartë aksidentesh në qarkun e Fierit, me pasojë tre humbje jete dhe 9 të plagosur rëndë. Sipas shefit të sektorit të Policisë Rrugore pranë DVP Fier, Altin Dervishi, ndër shkaqet kryesore kanë qenë mosrespektimi i normave të shpejtësisë, parakalimi i gabuar, ndryshimi i menjëhershëm i korsisë, dhe ndërprerja e menjëhershme e rrugës jo vetëm nga automjetet, por edhe nga këmbësorët.

Po sipas Dervishit akset kryesore më problematike kanë qënë “ Pushimi i Shoferit”, “ Kryqëzimi i Savrës” aksi “Savër- Çermë,” “ Rreth-rrotullimi Savër- Ura e Kuçit, “ Kryqëzimi i Vajkanit”, “ Rrethrrotullimi i Parkut- Qëndër”, “ Qendër- QTU” , ku kontrollet kanë vijuar në mënyrë të pandërprerë me patrullë dhe shërbim të përforcuar. Gjithashtu shefi i qarkullimit ka pohuar se vetëm gjatë muajit gusht në qarkun e Fierit janë vendosur 6088 masa administrative, nga të cilat 4185 për shpejtësi, për parakalim të gabuar 416, për përdorim alkooli 22, pa rrip sigurimi 122, për kasë mbrojtëse 196, përdorim celulari 12, për parkim të gabuar 328 dhe 789 për shkelje të tjera.

Përdorimi i automjeteve nga adoleshentët mbetet një problematikë tjetër madhore ka thënë Dervishi teksa ka apeluar për më shumë kujdes nga ana e prindërve për të mos lejuar fëmijët në timon.

Edhe pse kjo periudhë shënon fundin e sezonit veror, trafiku në të gjithë qarkun e Fierit vijon të jetë tepër i rënduar, dhe përballë këtij fluksi të lartë automjetesh të shtuar krahasuar me vitet e mëparshme kemi marrë një sërë masash për monitorimin e shpejtësisë me radar dhe mjete inteligjente si në akset kryesore ashtu edhe në ato dytësore ka thënë Dervishi .

Dervishi ka apeluar gjithashtu për të gjithë përdoruesit e rrugës, të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos