Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” nuk e pengonte një 22-vjeçar nga Velipoja që të lëvizte i lirë në zonë dhe jo vetëm, pasi shpërndarë lëndë narkotike të ndarë në doza.
I riu u vu në pranga nga policia e Shkodrës teksa ishte duke qarkulluar me automjet, ndërsa gjatë kontrollit në banesë iu gjet edhe një armë zjarri.
“Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetas që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dilte nga banesa dhe shiste lëndë narkotike në doza, kanë organizuar punën për kapjen e tij në flagrancë. Ata e kanë konstatuar shtetasin F. G., duke qarkulluar me automjet, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Shkodrës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pistoletë me municion luftarak dhe doza të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin”, njofton policia.
Mbi 22-vjeçarin, banues në fshatin Pulaj, tashmë rëndojnë edhe akuza për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve". (A2 Televizion)