Një mega-operacion antidrogë u zhvillua 2 ditë më parë në Shqipëri dhe në Itali, ku u dhanë masa sigurie për 52 persona.
Masë sigurie në kuadër të operacionit ‘Ura’ u dha edhe ndaj avokatit Armand Tragaj në Durrës, me akuzën e ndikimit të paligjshëm në 4 raste. Tragaj ka qenë ish-sekretar i Këshillit Bashkiak në Durrës.
Ndërkohë ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme u mbajt seanca maratonë, për verifikimin e masave të sigurisë për 14 nga të arrestuarit e këtij operacioni.
Gjykata Posaçme shpalli para pak minutave vendimin, ku gjyqtarja Rudina Palloj la në fuqi masat ‘arrest në burg’ për 11 të dyshuarit, ndërsa për avokatin Armand Tragaj vendosi ‘detyrim paraqitje’. Masë më e butë sigurie, po ajo e ‘detyrimit për paraqitje’ është caktuar edhe për dy persona të tjerë, Ervis Deti dhe Bexhet Mema.
Më herët ditën e sotme, avokati Tragaj ka folur para Gjykatës së Posaçme, ku edhe ka kërkuar shfuqizimin e masës ‘arrest me burg’, shkruan A2 CNN.
Kërkesa e tij u bë me argumentin se vijimi i masës së sigurisë do të rëndonte situatën e tij familjare.
“Jam i rënduar psikologjikisht dhe vazhdimi i kësaj mase do të rëndojë situatën time familjare, ku unë jam me dy prindër të smurë, njerkën të paralizuar, vëllain në psikiatri dhe bashkëshorten me fëmijën e vogël. Dhe për këtë fakt kërkoj të jem pranë familjes”, ka thënë avokati Tragaj para GJKKO-së, ku u zhvillua seanca për rikonfirmimin e masave të sigurisë për anëtarët e këtij grupi kriminal.
(A2 Televizion)