
Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën “arrest në burg” për 52-vjeçarin Poli Boriçi, i dyshuar për tentativën e vrasjes së Ermir Kërtezit, i njohur si Mir Bitoci.
Ngjarja ndodhi në një lokal në qendër të Elbasanit, ku Boriçi dyshohet se nxori një armë zjarri nga çanta dhe qëlloi në drejtim të Kërtezit. Arma u bllokua, ndërsa shënjestra u largua dhe Boriçi e ndoqi për disa metra.
Pas ngjarjes, 52-vjeçari u arrestua nga policia. Përpara hetuesve ai ka deklaruar se sulmi lidhej me një konflikt të vjetër, duke pretenduar se Kërtezi kishte plagosur vëllain e tij rreth 15 vite më parë. Ndërkohë, Kërtezi ka deklaruar se marrëdhëniet mes dy familjeve ishin normalizuar prej vitesh.
Boriçi ka pretenduar gjithashtu se nuk kishte qëllim ta vriste Kërtezin, por ta frikësonte.
Në seancën e zhvilluar sot, gjykata ka vlerësuar materialet e administruara nga prokuroria dhe ka vendosur masën “arrest në burg”. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të motivit dhe dinamikës së atentatit të dështuar. (A2 Televizion)