Policia në Durrës ka arrestuar një 51-vjeçar, i cili akuzohet se i ka dhënë mjetin lundrues të tipit “Jet ski” 21-vjeçarit belg, që mbeti i lënduar në zonën e Shkëmbit të Kavajës pas manovrave në det.
Mjeti lundrues, të cilin e drejtonte dikush tjetër ka humbur kontrollin dhe ka rënë në ujë, duke lënë të plagosur rëndë të riun nga Belgjika, i cili pas ndihmës së parë mjekësore u transportua për në Spitalin e Traumës në Tiranë, për ndihmë më të specializuar.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin S. Xh., 51 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’”, informon policia.
Nga veprimet hetimore të kryera për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, rezultoi se “shtetasi S. Xh. i ka dhënë me qira një mjet lundrues Jet Ski, pa masat e sigurisë të nevojshme, shtetasit belg H. K., i cili nuk është i pajisur me leje drejtimi për këtë kategori mjetesh”.
Policia po ashtu sqaron se shtetasi S. Xh., gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, ka dhënë informacione të rreme për rastin.
“Shtetasi H. K., që u dëmtua gjatë manovrave me mjetin lundrues, vijon të jetë në spital, në kujdesin e mjekëve”, bën me dije më tej policia. (A2 Televizion)