Atentati te Don Bosko, gjykata cakton arrest me burg në mungesë për një nga autorët

Nga A2 CNN
25 Tetor 2024, 12:05 | Kronikë

Atentati te Don Bosko, gjykata cakton arrest me burg në mungesë

Gjykata e Shkallës së Parë së Tiranës ka caktuar masën arrest me burg për njërin nga autorët e plagosjes me armë që ndodhi më 3 shtator në zonën e Don Boskos, pranë Xhamisë. Policia njofton se ky vendim erdhi pas dokumentimit ligjor për implikimin e 23-vjeçarit nga Kamza të dyshuar të kësaj ngjarjeje. Ai akuzohet për tentativë vrasje dhe mbajtja pa leje të armëve.

“Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, analizimit, vlerësimit të rrethanave dhe fakteve, dhe provave shkresore, grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të njërit prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje.  Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 2706, datë 22.10.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal "Arrest në burg", në mungesë, ndaj shtetasit D. T., 23 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar për kryerjen e veprave penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese" kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", parashikuara nga nenet 79, dh/ 22/ 25, dhe 278/1 të Kodit Penal”, njofton Policia.

Ndërkohë vazhdojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar.

Kujtojmë se mesditën e 3 shtatorit mbetën të plagosur dy persona në zonën e Don Boskos në afërsi të xhamisë. Bëhet fjalë 45-vjeçarin Kastriot Elezaj dhe 22-vjeçarin Ronaldo Metushi, të cilët sipas të dhënave të para nuk kishin lidhje me njëri-tjetrin. Gazetari i A2 CNN Julian Kasapi raportoi  në atë kohë se 45-vjeçari ka qenë person me precedentë penalë dhe kishte 6 muaj që ishte kthyer në Shqipëri.

Autorët u larguan me një automjet dhe policia ngriti pika kontrolli e postblloqe në dalje të kryeqytetit, por pa rezultat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos