I zunë derën kryeministrit, arrestohen 14 protestues, hetim në liri për 3 të tjerë

Nga Armand Bajrami
2 Shtator 2026, 15:33 | Kronikë

14 protestues u arrestuan dhe 3 të tjerë u proceduan penalisht në gjendje të lirë pas protestës të së martës, e 94-tërta në radhën e protestave të zhvilluara para kryeministrisë. Të arrestuarit i përkasin moshave nga 28 në 50 vjeç. Ata u prangosën pas përplasjes fizike me policinë, teksa bllokuan hyrje daljet e kryeministrisë në një kohë që kryeministri Edi Rama ndodhej në godinë.

Vendosja e protestuesve në hyrjet e institucionit alarmoi policinë, që krijoi një kordon sigurie për të mos lejuar depërtimin e tyre brenda perimetrit të sigurisë. Në ndihmë të tyre erdhën edhe efektivë të FNSH, si edhe ujëhedhësja me presion. 

Për gati 30 minuta policia bëri thirrje me megafon për lirimin e rrugës dhe më pas ka ndërhyrë për të zhvendosur protestuesit. Sipas policisë, tubuesit bënë rezistencë aktive, u ulën në rrugë, vijuan bllokimin e hyrjes së institucionit dhe të rrugës, si dhe goditën dhe shtynë punonjësit e policisë. Vetëm pas ndërhyrjes së policisë, eskorta kryeministrore mundi të largohet nga godina, ndonëse nuk i shpëtoi koreve të protestuesve.

Të arrestuarit janë izoluar në qelitë e bllokut të sigurisë, në pritje për të dalë para gjykatës për caktimin e masave të sigurisë.

Në prokurori ata janë referuar për “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të jashtëligjshme”, “kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “prishja e qetësisë publike” dhe “pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos