Rrethuan Kryeministrinë dhe u përplasën me policinë, 14 protestues të arrestuar dhe 3 të proceduar

Nga A2 CNN
2 Shtator 2026, 09:36 | Kronikë

Rrethuan Kryeministrinë dhe u përplasën me policinë, 14

Policia ka dalë me një njoftim në lidhje me arrestimin e 14 personave dhe procedimin e 3 të tjerëve gjatë protestës para Kryeministrisë.

Sipas “bluve” protestuesit kundërshtuan me force punonjësit e Policisë dhe bllokuan hyrje-daljet e Kryeministrisë, në kohën kur në institucion ndodheshin personalitete të larta shtetërore.

Policia po ashtu bën me dije se gjatë zhvendosjes me qëllim lirimin e hyrje-daljeve të Kryeministrisë, tubuesit bënë rezistencë duke u ulur në rrugë dhe goditën e shtynë efektivët.

 

NJOFTIMI

Tiranë/Kundërshtuan me forcë punonjësit e Policisë dhe bllokuan hyrje-daljet e Kryeministrisë, në kohën kur në këtë institucion të rëndësisë së veçantë ndodheshin personalitete të larta shtetërore, arrestohen 14 shtetas dhe procedohen penalisht 3 të tjerë.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar më datë 01.09.2026, pranë Kryeministrisë:

-u arrestuan në flagrancë shtetasit: D. G., 50 vjeç; J. M., 38 vjeç; E. L., 28 vjeç; E. A., 35 vjeç; S. B., 50 vjeç; L. Gj., 47 vjeç; V. Sh., 52 vjeç; F. M., 22 vjeç; D. A., 29 vjeç; B. M., 34 vjeçe; A. Ll., 28 vjeçe; Y. B., 38 vjeç; A. K., 46 vjeç dhe A. D., 30 vjeç.

-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. J., 47 vjeç; A. T., 54 vjeç dhe A. G., 56 vjeç.

Më datë 01.09.2026, rreth orës 20:00, një grup pjesëmarrësish në tubim u grumbulluan në rrugën “Ismail Qemali”, në anën jugore të Kryeministrisë, ku bllokuan hyrje-daljet në ambientet e këtij institucioni, në kohën kur aty ndodheshin personalitete të larta shtetërore. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë krijuan një kordon sigurie, me qëllim moslejimin e depërtimit të mëtejshëm brenda perimetrit të sigurisë.

Tubuesit vijuan qëndrimin në rrugën “Ismail Qemali”, përpara hyrjes së Kryeministrisë, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të punonjësve të Policisë, për rreth 30 minuta, nëpërmjet megafonit, për shpërndarjen e tubimit dhe lirimin e rrugës.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë, nëpërmjet megafonit, u bënë të ditur pjesëmarrësve në tubim se veprimet e tyre ishin në kundërshtim me ligjin, në cenim të rendit dhe qetësisë publike, si dhe të perimetrit të sigurisë së institucionit të rëndësisë së veçantë. Gjithashtu, iu bë e ditur se, si pasojë e tubimit, ishte penguar qarkullimi i mjeteve të transportit dhe lëvizja e lirë e personaliteteve të larta shtetërore.

Pavarësisht thirrjeve të Policisë, tubuesit vijuan me thirrje dhe veprime aktive për kundërshtimin me forcë të punonjësve të Policisë të planëzuar në kordonin e sigurisë.

Në momentin që punonjësit e Policisë po kryenin zhvendosjen e tubuesve, me qëllim lirimin e hyrje-daljeve të Kryeministrisë dhe lirimin e rrugës, tubuesit bënë rezistencë aktive, u ulën në rrugë, vijuan bllokimin e hyrjes së institucionit dhe të rrugës, si dhe goditën dhe shtynë punonjësit e Policisë.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos