Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur kërkesën për dërgimin për gjykim të të pandehurit Alqi Bllako, i akuzuar për “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë.
Sipas SPAK, nga aktet e administruara dhe gjatë hetimeve të kryera për ”Ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimit të vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”, e lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” janë konstatuar akte korruptive të të pandehurit Alqi Bllako, i cili në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit ka kërkuar dhe përfituar në mënyrë të parregullt në dy raste vlerën monetare prej 119.715 euro dhe 7,520,000 lekë për Vladimir Bezhanin.
“Alqi Bllako i ka propozuar Vladimir Bezhanit të vazhdonte detyrën si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe të ndihmonte me konsulencë juridike gjatë kohës kur kishte lindur idea e projektit të zhvillimit të procedurës së dhënies së koncesionit për trajtimin e mbetjeve në qytetin e Tiranës, përpara se të bëhej propozimi i pakërkuar në Ministrinë e Mjedisit.
Për shërbimin e Vladimir Bezhanit, si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Alqi Bllako i ka propozuar shtetasit Klodian Zoto, aksioner i shoqërisë propozuese “Integrated Technology Services” sh.p.k, dhe aksioner i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” dhënien e përfitimit të parregullt për shtetasin Vladimir Bezhani, duke e punësuar fiktivisht tek shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe siguruar një përfitim të parregullt në vlerën 7,520,000 lekë”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Po ashtu, i pandehuri Alqi Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri vlerën monetare prej 119,755 Euro, si pagesë për blerjen e një pajisje për aktivitetin tregtar të shoqërisë së babait të tij, Edmond Bllako.
(A2 Televizion)