Ishte shpallur në kërkim për tentativë vrasje, arrestohet 28-vjeçari në Tiranë! Në pranga edhe një tjetër person

Nga A2 CNN
19 Shtator 2025, 08:49 | Kronikë

Ishte shpallur në kërkim për tentativë vrasje, arrestohet

Një 28-vjeçar, shtetasi Alban Bruçi, banues në Shkodër, ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi ishte shpallur në kërkim për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se 28-vjeçari në momentin e ndalimit posedonte edhe një kartë identiteti false, shkruan A2 CNN.

Po ashtu, në pranga ka rënë edhe një tjetër person, shtetasi Arjan Sardi, i cili shoqëronte 28-vjeçarin në momentin e arrestimit nga Policia.

Ndërkohë materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë:

Policia e Shtetit-Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar. 

Finalizohet operacioni i koduar “Operacionalja 67”.      

Kapet në rrugën “Teodor Keko” dhe vihet në pranga një 28-vjeçar i shpallur në kërkim për tentativë për vrasje me paramendim dhe për armëmbajtje pa leje. 

Në momentin e ndalimit, 28-vjeçari posedonte një kartë identiteti italiane false. 

Vihet në pranga dhe shtetasi që shoqëronte dhe transportonte 28-vjeçarin, me motomjet. 

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 67”, gjatë të cilit u kap në rrugën “Teodor Keko” dhe u vu në pranga shtetasi:

-A. B., 28 vjeç, banues në Shkodër, i cili ishte shpallur në kërkim me vendimin e vitit 2024, të Gjykatës së Shkodrës, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".     

Gjatë kontrollit fizik, shtetasi A. B. iu gjetën një shumë parash, 3 celularë, 1 kartë SIM dhe 1 kartë identiteti italiane e dyshuar e falsifikuar, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. 

Gjithashtu, gjatë operacionit u vu në pranga, për përkrahje të autorit të krimit, shtetasi A. S., 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili shoqëronte shtetasin A. B., në momentin e kapjes nga shërbimet e Policisë. Nga hetimet dyshohet se shtetasi A. S. transportonte shtetasin A. B., me motomjet, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. 

Shtetasit e kapur iu dorëzuan Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër që bëri ekzekutimin e urdhrave për ndalimin e shtetasit A. B. dhe arrestimin e shtetasit A. S..

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos