Kandidatja për kreun e SPAK, Doloreza Musabelliu: Asnjë funksionar publik nuk qëndron mbi ligjin

Nga A2 CNN
11 Dhjetor 2025, 12:02 | Kronikë

Gjatë prezantimit para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kandidatja për drejtimin e SPAK, prokurorja Doloreza Musabelliu, paraqiti një panoramë të gjerë të eksperiencës së saj në hetimin e çështjeve më të ndjeshme të kriminalitetit në vend. Me një karrierë që shtrihet prej më shumë se dy dekadash, Musabelliu theksoi se puna e saj ka qenë e lidhur ngushtë me hetime komplekse, shpesh të karakterit ndërkombëtar, dhe me çështje të cilat kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë publike.

Musabelliu u ndal fillimisht tek hetimet në fushën e trafikut të narkotikëve, duke rikujtuar se që prej vitit 2004 ka trajtuar çështje të rëndësishme në këtë sektor. Ajo solli në vëmendje një dosje të vitit 2005, të cilës iu referua si “shumë sensitive”, si dhe një tjetër rast të vitit 2015 që shënoi identifikimin e parë të trafikut ajror të lëndëve narkotike në vend. “Në atë çështje u dërguan për gjykim shtatë persona dhe një oficer i policisë gjyqësore, të cilët u dënuan me vendim të formës së prerë. Të gjithë personat e përfshirë u identifikuan”, theksoi prokurorja, përcjell A2 CNN.

Ajo shtoi se këto hetime, të zhvilluara shpesh në bashkëpunim me autoritete të huaja, e kanë aftësuar profesionalisht për të menaxhuar çështje me ngarkesë të lartë dhe me dimension ndërkombëtar. “Lufta kundër trafikut është bërë prioritet global dhe kërkon qasje të avancuara hetimore, të cilat kam pasur mundësinë t’i aplikoj që në nisje të karrierës sime,” u shpreh Musabelliu.

Një tjetër segment i rëndësishëm i punës së saj lidhet me hetimin e vrasjeve, përfshirë ato me motive familjare, hakmarrje apo gjakmarrje, si edhe vrasjen e një funksionari të forcave operacionale të drejtësisë. Sipas saj, këto çështje kanë kërkuar profesionalizëm të lartë, përvojë dhe ndjeshmëri përballë situatave të vështira.

Pas vitit 2014, me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore, Musabelliu ka hetuar edhe çështje të korrupsionit aktiv dhe pasiv të funksionarëve të drejtësisë. Ajo nënvizoi parimin e barazisë para ligjit si një nga shtyllat kryesore të filozofisë së saj profesionale. “Asnjë funksionar publik nuk qëndron mbi ligjin,” deklaroi ajo, duke e konsideruar këtë standard të panegociueshëm për sistemin e drejtësisë.

Me këtë prezantim, Doloreza Musabelliu synon të bindë anëtarët e KLP-së se përvoja e saj e gjatë dhe përballja me çështje të vështira e bëjnë një kandidate të denjë për drejtimin e institucioni më të rëndësishëm të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos