Kanosën me pistoletë dhe dhunuan 35-vjeçarin, 3 të arrestuar në Vlorë

Nga A2 CNN
14 Prill 2026, 11:26 | Kronikë

Kanosën me pistoletë dhe dhunuan 35-vjeçarin, 3 të

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, dje, pas marrjes së njoftimit për kanosjen dhe dhunimin e një shtetasi, në lagjen “Hajro Çakërri”, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: 

-Xh. I., 31 vjeç, K. H., 34 vjeç dhe M. Z., 20 vjeç, të tre banues në Vlorë.  

Nga hetimet e para dyshohet se këta shtetas kanë kanosur me pistoletë sportive, për motive të dobëta, shtetasin L. S., 35 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhej brenda në automjetin e tij, në lagjen “Hajro Çakërri”, dhe më pas, kanë tentuar ta nxjerrin me forcë nga automjeti, duke e goditur me grushte dhe me tytën e pistoletës.     

35-vjeçari po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. 

Gjatë kontrollit në automjetin në pronësi të babait të shtetasit K. H., shërbimet e Policisë gjetën të fshehur pistoletën sportive që dyshohet se është përdorur për kanosjen.      

Pistoleta u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin ku u gjet dhe me automjetin të cilin dyshohet se janë larguar autorët nga vendi i ngjarjes. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, të kryera në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos