Konflikt dhe dyshime për blerje vote, arrestohet bashkëshorti i kandidates së PD-së në Mirditë

Nga A2 CNN
11 Maj 2025, 08:38 | Kronikë

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Mirditës, pas një konflikti me një 46-vjeçar me pretendimin e blerjes së votave. Njëri prej të arrestuarve është Ladi Ndoja, burri i kandidates për deputete të PD-së Elda Hoti.

Dy të arrestuarit 45-vjeçari Ladi Ndoja dhe 25vjeçari Amarildo Jushi i kanë bllokuar rrugën automjetit që drejtohej nga 46-vjeçari me iniciale R. K., në të cilin ndodhej dhe një pasagjer. Sipas policisë kjo ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen Donaj në Rrëshen, ku kanë ndërhyrë edhe shërbimet e policisë, duke shoqëruar palët në Komisariat.

Në automjetet e dy të arrestuarve shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan lista me të dhëna personash (të dyshuara si lista zgjedhësish), ndërsa në automjetin e shtetasit R. K. nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.

Njoftim i Policisë Mirditë

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

-L. N., 45 vjeç, banues në Mirditë për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj  pjesëmarrësve në zgjedhje”

-A. J., 25 vjeç, banues në Mirditë,  për veprat penale “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 10.05.2025, rreth orës 20:20, këta shtetas me dy automjetet e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit që drejtohej nga shtetasi R. K., 46 vjeç (drejtues automjeti) dhe A. D. (pasagjer), të dy banues në Rrëshen, me pretendimin se këta shtetas po kryenin veprimtarinë e blerjes së votave.

Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për bllokimin e rrugës në lagjen “Donaj” në Rrëshen dhe konfliktin verbal mes këtyre shtetasve, kanë ndërhyrë, duke shoqëruar palët në Komisariat dhe kanë kryer veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë.

Në vijim të veprimeve të kryera, pas kontrollit të ushtruar në automjetet e tyre, konkretisht në automjetet e shtetasve L. N. dhe A. J., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale lista me të dhëna personash (të dyshuara si lista zgjedhësish), ndërsa në automjetin e shtetasit R. K. nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.

Gjithashtu, po në vijim të veprimeve pas kryerjes së testit të alkoolit të tre drejtuesve të automjeteve rezultoi se shtetasi L.N., drejtonte automjetin në gjendje të dehur, ndërsa dy drejtuesit e automjeteve të tjera rezultuan se nuk kishin konsumuar alkool.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos