Të premten, një seancë pasi iu refuzua kërkesa për të mos u mbajtur në kafazin e xhamtë të sallës së gjyqit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zgjodhi të mos paraqitej në gjykatë. Mosprania e tij nuk e pengoi zhvillimin e seancës, por ajo u mbyll pa një vendim mbi kalimin ose jo në gjyq të dosjes.
Përmes avokatëve, kryebashkiaku, i pandehur për pesë vepra penale, paraqiti kundërshtime që në thelb kishin pretendimin për pamundësi për t’u njohur me aktet e dosjes. Burime pranë gjykatës bënë me dije se mbrojtësit e kryebashkiakut kanë refuzuar të lexojnë parashtresat për klientin e tyre, me arsyetimin se Veliaj nuk është njohur me përmbajtjen e aktakuzës.
Sipas avokatëve, moskrijimi i kushteve për studimin e dosjes e vë në vështirësi kryebashkiakun të vendosë nëse do të kërkojë gjykim të shkurtuar apo gjykim të zakonshëm. Në seancën e së martës, nga kafazi i sallës së gjyqit, Veliaj deklaroi se nuk kishte parë asnjë faqe të dosjes, nuk e kishte kuptuar akuzën dhe nuk kishte asnjë mjet për të përgatitur mbrojtjen. Kjo, sipas tij, ndodh pasi avokatët kanë marrë 60 mijë faqet e dosjes në mënyrë elektronike, në një USB, ndërsa ai nuk ka asnjë pajisje elektronike në qeli, shkruan A2 CNN.
Në të njëjtën seancë, Veliajt iu refuzua edhe kërkesa për të mos u mbajtur në kafazin e sallës së gjyqit, praktikë që sipas tij ishte degraduese dhe poshtëruese. Ndërkohë, seanca e së premtes vijoi me leximin e parashtresave të disa prej të pandehurve, mes të cilëve edhe të ish-deputetes së PS-së, Klotilda Bushka. Nëpërmjet avokatit të saj, ish-ligjvënësja, e pandehur për “pengim të zbardhjes së së vërtetës”, kërkoi pushimin e çështjes dhe, në rast të mospranimit, veçimin e çështjes dhe kalimin për kompetencë në Gjykatën e Tiranës.
Seanca e radhës e shqyrtimit paraprak të dosjes ndaj Veliajt dhe 29 të bashkëpandehurve do të zhvillohet më 12 dhjetor. (A2 Televizion)