Skënder Hita është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pas largimit të Ilir Prodës, duke u bërë kryepolici i shtatë që nga viti 2013 nën qeverinë Rama. Vendimi u miratua në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe u njoftua nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari. Me një karrierë 24-vjeçare në polici, ai pritet të ndërmarrë ndryshime të rëndësishme në strukturat drejtuese, duke nisur nga Tirana.
Pas largimit të Ilir Prodës, Skënder Hita emërohet drejtor i përgjithshëm i policisë së Shtetit. Që nga viti 2013 deri më sot nën drejtimin e qeverisë Rama, Hita do të jetë kryepolici i shtatë i cili merr drejtimin e Policisë së Shtetit.
Këtë të hënë ministri i Brendshëm Besfort Lamallari njoftoi se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u miratua vendimin për dhënien e gradës Drejtues Madhor dhe emërimin si Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për Skënder Hitën.
Sipas ministrit, Skënder Hita ka rezultuar ndër kandidatët më të vlerësuar në garën e zhvilluar nga ministria e brendshme për postin e kryepolicit pas largimit të Ilir Prodës. Në garë konkurruan 14 kandidatë. Hita së fundmi mbante postin e drejtorit të policisë së qarkut Fier. 46-vjeçari ka një karrierë të gjatë në polici prej 24 vitesh, ku më parë ka mbajtur edhe postin e drejtorit të Policisë së Shkodrës, Dibrës dhe Durrësit.
Që në hapje të garës nga ministria e Brendshme, Hita shihej si një nga kandidatët më potencialë për të marrë drejtimin e policisë. Prezantimi i Hitës do të bëhet ditën e martë më 31 mars në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Hita është kryepolici i shtatë nga viti 2013 deri më sot nën drejtimin e qeverisë Rama. Më jetëgjati në detyrë është Ardi Veliu me 3 vite e 8 muaj dhe më jetëshkurtri, Gledis Nano, me 11 muaj nën drejtimin e policisë.
Me marrjen e detyrës, kryepolici i ri Skënder Hita pritet të sjellë ndryshime rrënjësore në polici në struktura drejtuese, duke ndryshuar disa nga drejtorët e qarqeve, duke e nisur nga qarku më i madh, ai i Tiranës. (A2 Televizion)