
39-vjeçari Sabri Likaj,i akuzuar se ka kryer marrëdhënie seksuale me mbesën e tij të mitur, ka mbërritur sot në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për t’u njohur me masën e sigurisë.
Ka qenë prokurori Renato Tosku, ai që pasi ka parashtruar faktet dhe rrethanat e rastit, ka kërkuar cilësimin e ligjshëm të arrestimit të tij dhe caktimin e masës së sigurisë "arrest në burg". Mësohet se i akuzuari nuk e ka pranuar akuzën,ai ka deklaruar se nuk e ka prekur asnjëherë mbesën e tij dhe se gjithçka është sajuar nga kunata e tij pasi ata janë në konflikt për banesën.
Pasi dëgjoi organin e akuzës dhe të pandehurin, gjyqtari Ervis Koxhaj,ka vendosur: cilësimin e ligjshëm të arrestimit të tij dhe caktimin e masës së sigurisë "arrest në burg" për 39-vjeçarin Sabri Likaj, banues në fshatin Gjeroven në Berat.
Sabri Likaj u arrestua 3-ditë më parë, pas denoncimit të bërë në DVP-në Berat nga mbesa, shtetësja N.L,14-vjeçe dhe nëna e saj. Ai akuzohet për veprwn penale "Përfshirja në marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur", parashikuar nga neni 200/2 i Kodit Penal. (A2 Televizion)