
Rreth 40 familje të fshatit Labovë në Bashkinë e Gjirokastrës prej datës 6 janar të këtij viti janë të izoluar si pasojë e rrëshqitjes së dherave që dëmtuan dhe rrugën e këtij fshati, shkruan A2CNN.
Prej tre muajsh banorët rrezikojnë duke kaluar në terrenin e rrëshqitshëm, ndërsa janë të detyruar që edhe mallrat për jetën e përditshme t’i transportojnë në krahë.
Madje ka edhe familje që për shkak të rrëshqitjeve nuk po jetojnë dot në banesat e tyre. Rruga alternative që u hap nga bashkia për banorët e zonës është e papërdorshme.
Banorët kërkojnë të ndërhyhet sa më shpejt pasi çdo ditë që kalon në këtë izolim rëndon akoma më shumë jetesën e tyre. (A2 Televizion)