Një vatër zjarri është shfaqur mbrëmjen e sotme në pyjet e fshatit Mamëz, në njësinë administrative Ujmisht të Kukësit.
Era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve, ndërkohë që retë e dendura të tymit kanë mbërritur deri mbi qytetin e Kukësit, shkruan A2.
Në vendngjarje janë angazhuar grupe të shumta pune, ku marrin pjesë punonjës të shërbimit zjarrfikës, të pyjeve, si dhe banorë të zonës. Për shkak të terrenit të thyer malor, nuk është e mundur ndërhyrja me automjete zjarrfikëse, ndaj përpjekjet për izolimin dhe shuarjen e flakëve po kryhen me pompa shpine dhe mjete rrethanore.
Deri tani nuk ka informacion zyrtar mbi shkakun e zjarrit, ndërsa sipas burimeve paraprake, janë djegur disa hektarë me pyje dushku dhe bimësi të dendur.
Autoritetet lokale bëjnë thirrje për kujdes maksimal dhe bashkëpunim të qytetarëve, ndërkohë që situata mbetet e përkeqësuar për shkak të kushteve atmosferike me temperatura te larta. (A2 Televizion)