
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtorë pesë të pandehur të akuzuar për kultivim, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Vendimi u dha më 12 mars 2026, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të procedimit penal nr. 161 të vitit 2024.
Sipas vendimit të gjykatës, procesi u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca vendosi shpalljen fajtor të të pandehurve për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” si dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
I pandehuri Arben Shpati u dënua fillimisht me një total prej 13 vitesh burgim për disa vepra penale, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul me një të tretën, duke u caktuar përfundimisht në 8 vite e 8 muaj burg. Ndërkohë, Pavlin Shpati u dënua përfundimisht me 7 vite burgim.
Gjykata vendosi gjithashtu dënimin me nga 8 vite burg për të pandehurit Aleksandër Rrasa, Jeton Kacoli dhe Kristjan Plepaj, pas aplikimit të uljes së dënimit me një të tretën sipas procedurës së gjykimit të shkurtuar.
Të gjithë të dënuarit do ta vuajnë dënimin në institucione të ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë.
Palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimin brenda 15 ditëve nga njoftimi i tij në Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. (A2 Televizion)