Teksa pret datën 20 maj, për shqyrtimin e kërkesës për liri në Kushtetuese, kryebashkiaku i Tiranës ka depozituar një tjetër ankim në këtë gjykatë. Veliaj i kërkon Kushtetueses të shfuqizojë vendimin e 9 shkurit2026 të Gjykatës së Posaçme për kalimin në gjykim të dosjes në ngarkim të tij dhe të bashkëpandehurve.
Përmes ankimit të depozituar nga avokati i tij Plarent Ndreca, Veliaj pretendon se procesi paraprak ndaj tij në Gjykatën e Posaçme është zhvilluar në shkelje të rëndë të të drejtave themelore të tij. Sipas avokatit, kryebashkiakut i është mohuar koha reale për të analizuar një dosjen me dhjetëra mijëra faqe, i është cenuar parimi i barazisë së armëve në proces, si edhe është trajtuar në një mënyrë që i ka cenuar prezumimin e pafajësisë dhe dinjitetit, përfshi mbajtjen në izolim gjatë seancave gjyqësore.
“Në këto kushte, theksonte avokati, vendimi për dërgimin e çështjes në gjyq është marrë mbi një proces të kompromentuar në themel, duke prodhuar një proces antikushtetues dhe për rrjedhojë, të pavlefshëm, i cili nuk mund të prodhojë pasoja juridike të vlefshme”.
Dosja penale në ngarkim të kryebashkiakut Veliaj ndodhet në fazën e gjykimit në themel në Gjykatën e Posaçme. Në seancën e 3prillit gjykata pranoi kërkesën e avokatëve të kryebashkiakut për 2 javë të tjera kohë për t’u njohur me aktet e dosjes. (A2 Televizion)