Gjykata e Posaçme ka firmosur urdhërarrest për dy biznesmenët, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, raporton A2 CNN. Gjithashtu është firmosur një masë sigurie “arrest në shtëpi” për drejtuesen e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, me kërkesë të SPAK.
Masat e sigurisë janë firmosur për llogari të një hetimi të SPAK mbi abuzimet me tenderët nga AKSHI.
“Bëhet fjalë për një operacion që është në zhvillim e sipër nga ana e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sa i takon një hetimi pothuajse njëvjeçar mbi disa praktika të dyshuara si abuzive tenderuese në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”, raportoi gazetari i A2 CNN, Armand Bajrami.
“Për llogari të këtij hetimi janë miratuar disa masa sigurie nga ana e Gjykatës së Posaçme deri në këto momente në burime ende jo zyrtare kemi mësuar që janë të paktën tre prej këtyre masave mbajnë emrin e Mirlinda Karçanajt, drejtuesja e AKSHI-t, për të cilën është caktuar një masë sigurie arrest në shtëpi. Ndërkohë që janë dhe dy masa të tjera arrest në burg për Ergy Agasin, emër i njohur në fakt dhe po ashtu për Ermal Beqirin, të dy zotërues të disa shoqërive softuerësh dhe kompjuterike që dyshohet të kenë pasur marrëdhënie kontraktore me AKSHI-n. Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë mbërritur qoftë edhe për ekzekutimin e këtyre masave të sigurisë, por bashkangjitur vendimeve të masave të sigurisë janë dhe disa vendime për lejim kontrolle banesash disa nga të cilat ndodhen në Kodrën e Diellit në kryeqytet ku po ushtrohen tashmë kontrolle. Gjithë ky hetim ka lidhje me të paktën 12 procedura tenderuese të AKSHI-t, procedura me vlera në disa miliona euro secili, ku dyshohet se fituesit kanë qenë të paracaktuar”. (A2 Televizion)