Policia e Tiranës ka goditur një rast të armëmbajtjes pa leje, duke vënë në pranga një 31-vjeçar. Ai u ndalua në urën e Babrroit në një automjet ku udhëtonte së bashku me një 27-vjeçar. Gjatë kontrollit, në derën e pasagjerit u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative për 2 shtetas që lëviznin me armë zjarri në automjet, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fokusi”, si rezultat i të cilit u godit një rast i armëmbajtjes pa leje.
Gjatë operacionit, në urën e Babrroit, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin me drejtues shtetasin F. B. dhe pasagjer E. M. Gjatë kontrollit në automjetit, në derën e pasagjerit, u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, që dyshohet se e posedonte shtetasi E. M. Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin”, njofton Policia.
Policia arrestoi 31-vjeçarin, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe nisi procedimi penal për drejtuesin e automjetit shtetasin F. B., 27 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Policia sekuestroi armën, automjeti dhe dy celularë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
(A2 Televizion)