Policia e Durrësit ka zbardhur brenda disa orësh vrasjen me mjete të ftohta të 51-vjecarit Valbon Beqiri, në një apartament në lagjen 12 të qytetit bregdetar.
Sipas hetimeve të grupit të posaçëm për këtë ngjarje, viktima ka dyshime se është konfliktuar brenda ambienteve të apartamentit ku u gjet, me shtetasin Teilor Tivari, 24 vjeç, dhe ky i fundit gjatë konfliktit fizik e ka qëlluar edhe me thikë, duke i shkaktuar vdekjen.
Këtë fakt, burimet shprehen për A2CNN se e ka pranuar edhe vetë 24-vjeçari Tivari. Ky i fundit dyshohet se ka hyrë në banesën e viktimës me qëllim blerjen e lëndëve narkotike. Por, gjatë qëndrimit në banesë, për motive që nuk bëhen të ditura nga policia, viktima dhe autori i dyshuar 24-vjeçar kanë nisur një konflikt fizik nga ku Teilor Tivari e ka qëlluar disa herë me thikë 51-vjeçarin, duke e lënë të vdekur.
Ngjarja, sipas policisë, ka ndodhur në orën 10 të paradites së të mërkurës, ndërsa viktima është gjetur në orët e mbrëmjes.
Pas krimit, autori i dyshuar është ndihmuar edhe nga një tjetër person që është identifikuar dhe arrestuar, për t’u larguar me qëllim fshehjen e gjurmëve. (A2 Televizion)