Tentoi të vrasë një burrë duke e shtypur me makinë, shpallet në kërkim 40-vjeçari në Durrës

Nga A2 CNN
25 Shtator 2025, 16:11 | Kronikë

Tentoi të vrasë një burrë duke e shtypur me makinë,

Policia ka shpallur në kërkim një 40-vjeçar, pasi dyshohet se është përpjekur të vrasë duke shtypur me makinë një 55-vjeçar në Durrës të mërkurën në mbrëmje, raporton A2 CNN.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:54, në rrugën “Vala e Detit”, Durrës, kur një automjet i paidentifikuar goditi këmbësorin, shtetasin A. K., alias B. K., 55 vjeç, banues në Durrës. Drejtuesi i automjetit, pasi goditi 55-vjeçarin, është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, së bashku me automjetin, tha policia.

“Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë Rrugore kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Specialistët e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me grupin hetimor dhe Specialistët e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, intensifikuan veprimet për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e drejtuesit të automjetit. Si rezultat i veprimeve intensive, rezultoi se automjeti tip “Mercedes-Benz”, në pronësi të shtetasit A. B., 40 vjeç, lindur dhe banues në Shijak, ka goditur 55-vjeçarin dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Shërbimet e Policisë, pas kontrolleve të ushtruara, kanë shpallur në kërkim shtetasin A. B., së bashku me automjetin”, tha policia.

Shtetasi A. K., alias B. K., është transportuar në spitalin e Traumës, Tiranë, për ndihmë më të specializuar dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, për shkak të plagëve të marra.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos