Seanca paraprake në GJKKO në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta u shty për në datë 9 tetor. Shkak për shtyrjen e seancës u bë mungesa e avokatit mbrojtës të Ilir Metës, Kujtim Cakrani. Ky i fundit, për shkak të problemeve shëndetësore, kishte dërguar në sekretarinë e Gjykatës një kërkesë për shtyrje të seancës paraprake.
Në sallën e GJKKO ishte e pranishme vetëm Monika Kryemadhi, e cila pas shtyrjes së seancës hodhi akuza ndaj Altin Dumanit dhe SPAK. Kryemadhi akuzoi SPAK se ka gënjyer SHBA dhe Britaninë në letërprositë që u kanë kërkuar.
“Janë dy letër porosi, njëra që është çuar në Angli dhe një tjetër në Amerikë, por do t’iu bëj me dije më vonë, jam skandalizuar nga mënyra se si këto dy shtete i janë përgjigjur SPAK. SHBA i thotë a keni vendim gjykate për sekuestron dhe SPAK ka gënjyer dhe thotë po kemi dhe i çon vendimin për sekuestron e celularit të mamasë sime. Nga ana tjetër, Britania iu thotë se na keni shpjeguar telefonin e kësaj zonjës dhe CV e Metës, a mund të na thoni cili është krimi që ka bërë Meta dhe Kryemadhi se nuk e shohim”, tha Kryemadhi.
Më tej Kryemadhi deklaroi se në gjyq do të kërkojë një listë me dëshmitarë që të paraqiten të dëshmojnë, midis tyre edhe kryeministrin Rama sipas saj.
Kujtojmë që SPAK ka marrë të pandehur Ilir Metën, Monika Kryemadhin, nënën e saj Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun, ndërsa do të jetë gjyqtarja Irena Gjoka që do të vendosë nëse dosja do kalojë ose jo për gjykim. Në lidhje me dosjen gjyqtarja Irena Gjoka më herët ka kërkuar edhe dorëheqjen, por kërkesa e saj u refuzua nga gjyqtari Erion Bani.
SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Meta ndodhet në burg që prej tetorit të vitit të kaluar, ndërsa Kryemadhi me detyrim paraqitje. (A2 Televizion)