
Në ceremoninë ku mori pjesë Zv.kryeministrja Albana Koçiu, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, si dhe zyrtarë të lartë të Policisë e partnerë, u bë prezantimi dhe betimi i Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Ndërsa parashtroi prioritetet e detyrës së re, kryepolici i ri u zotua për luftë pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit duke nisur nga vet radhët e Policisë së Shtetit.
"Prioritetet tona janë të qarta: Lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke filluar nga radhët tona; Rritje akoma më shumë e parametrave të sigurisë në shkolla dhe në çdo komunitet; Forcimi i rendit dhe i sigurisë në të gjithë territorin e vendit; Modernizimi i Policisë përmes teknologjisë, përfshirë projektin madhor "Smart City" dhe trajnimeve, sipas standardeve më të mira evropiane; Rritje akoma më shumë e transparencës dhe e përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve; Mbështetje dhe motivim për çdo punonjës policie që kryen detyrën me ndershmëri e përkushtim. Forcimi më tej i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit".
Ndërkaq, ministri Brendshëm Besfor Lamallari, vlerësoi figurën e Hitës duke u shprehur se ai ka përgjegjësinë e lartë për të çuar përpara një polici moderne dhe profesionale.
"Jam i bindur se të gjithë ju këtu e më gjerë në radhët e Policisë së Shtetit e jo vetëm, bini dakord me faktin se Skënder Hita reflekton besimin se ai është njeriu i duhur për të udhëhequr Policinë e Shtetit në një moment të rëndësishëm për vendin, duke garantuar stabilitet, lidership të vendosur dhe përkushtim ndaj shërbimit ndaj qytetarëve dhe ligjit. Ai është një oficer karriere, profesionist dhe i udhëhequr nga integriteti në çdo detyrë që ka mbajtur. Unë kam pasur fatin dhe mundësinë ta njoh nga afër e të punoj me të për një kohë të gjatë. Do të vazhdojmë sot e tutje të bashkërendojmë punët, për të përmbushur misionin tonë si shërbëtorë publik", tha Lamallari. (A2 Televizion)