Tritoli në banesën e mësuesit në Shkodër, policia hedh dyshime mbi motivin

Nga Senad Nikshiqi dhe Gazment Janku
13 Shtator 2026, 14:13 | Kronikë

Tritoli i shpërthyer në banesën e mësuesit Mehdin Bushati mbrëmjen e së shtunës në qendër të Shkodrës, mendohet se është hedhur dhe aktivizuar nga një person me pagesë i kamufluar si shpërndarës picash me një motor të vogël.

Kamerat e sigurisë kanë fiksuar një person më motor që hedh lëndën plasëse e cila shpërthen në oborrin e banesës dhe më pas largohet në drejtim të paditur. Në momentin e shpërthimit mësuesi Mehdin Bushati ndodhej në banesë së bashku me bashkëshorten, por sipas burimeve policore mësohet se nuk është treguar bashkëpunues me grupin e hetimit.

Lënda plasëse sipas hetimeve të deritanishme mund të lidhet me vëllain e mësuesit, shtetasin Gëzim Bushatii cili prej vitesh ndodhet në Gjermani dhe që njihet edhe me emrin Naser. Banesae këtij te fundit ndodhet në katin e dytë të godinës ku banon edhe vëllai i tij.

Gëzim Bushati, sipas burimeve ka qenë i dënuar me burg, në Rumani dhe Gjermani. Për shkak të problemeve që mund të ketë jashtë vendit, policia vendore e Shkodrës dyshon se lënda plasëse u hodh në banesën e tij me qëllim për t’i dhënë një mesazh kërcënues, pikërisht vëllait të mësuesit. Madje autori që mori përsipër këtë akt, nuk u ndal as nga fakti që vetëm pak metra larg banesës, po zhvillohej një koncert me muzikë dhe lojëra për fëmijët. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos