Mohojnë vrasjen në Mat, dëshmia e Çakrrit fundos vëllezërit: I riu ishte në makinë me ta

Nga Xhensila Kodra
17 Korrik 2025, 15:34 | Kronikë

Dy personat e arrestuar si autorë të dyshuar të vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra kanë dhënë dëshmi kontradiktore para grupit hetimor. 55-vjeçari Petrit Çakrri ka pranuar se ditën që përkon me rrëmbimin dhe vrasjen e të riut ndodhej në zonën e Burrelit, por ka mohuar të ketë marrë pjesë në krim.

Ai ka rrëfyer se kishte njohje me Kristi Bushgjoka, njëri prej të kërkuarve nga policia si i implikuar në vrasje dhe njohja e tyre ishte bërë që kur ndodheshin në burg.

“Mbajmë ende kontakte dhe me vëllezërit Bushgjokaj u takuam pasi më thanë se në ato zona do të kërkonim për të marrë lëndë narkotike”, tregoi Çakrri para hetuesve.

55-vjeçari rrëfeu më tej se kishin ndryshuar disa automjete, madje pasi vëllezërit kishin hipur në makinën e një djali të ri, i kishin thënë “tani ik largohu”.

Thëniet e tij përputhen me provat që hetuesit kanë siguruar, por nga ana tjetër Petrit Çakrri mohon të kishte njohje me 23 vjeçarin Renis Dobra, si dhe mohon të ketë lidhje me rrëmbimin dhe vrasjen e të riut.

Ndërsa i arrestuari tjetër Fatjon Bushgjoka 34 vjeç ka pranuar njohjen me viktimën, por jo që ai të jetë autor krimi. “Me Renisin njihemi që në Gjermani, kemi punuar me drogë. Kishim mosmarrëveshje, por nuk kam lidhje me vrasjen”, ka rrëfyer ai para hetuesve.

Renis Dobra u rrëmbye mbrëmjen e 8 korrikut dhe u mbyt me litar. Trupi i tij u gjet pranë liqenit të Shkopetit, ndërsa makina në ujë. Policia zbardhi vrasjen me pamje kamerash sigurie, të cilat i çuan te makinat me qira që katër të dyshuarit kishin marrë 3 ditë para krimit. Në kërkim për ngjarjen e rëndë janë 2 vëllezërit Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos