Momenti kur policia shkatërron derën dhe zbulon “shtëpinë e barit” në Vaun e Dejës

Nga A2 CNN
7 Janar 2026, 10:44 | Kronikë

Momenti kur policia shkatërron derën dhe zbulon

Policia ka zbuluar dy ambiente banimi në fshatin Barbullush, Vau i Dejës, të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, në kuadër të fazës së pestë të operacionit policor të koduar “Neonët 5”. Me këto raste, shkon në 9 numri i ambienteve të zbuluara dhe goditura gjatë këtij operacioni.

Si rezultat i aksionit, është arrestuar në flagrancë një 31-vjeçar, ndërsa 4 persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Po ashtu, janë ndaluar edhe 3 punonjës të OSHEE-së, të dyshuar për shpërdorim detyre.

Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, të mbështetur nga Forca Operacionale dhe “Shqiponjat”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe kontrolleve intensive në ambiente të mbyllura.

Gjatë ndërhyrjes, u arrestua shtetasi A. Ç., 31 vjeç, banues në Shkodër, ndërsa u shpallën në kërkim shtetasit Gj. G., 46 vjeç, L. G., 53 vjeç, E. G., 43 vjeç dhe M. G., 51 vjeç, të gjithë banues në Barbullush.

Në vijim, u ndaluan edhe shtetasit F. H., 31 vjeç, banues në Ashtë, A. Gj., 46 vjeç, banues në Barbullush dhe Z. N., 27 vjeç, banues në Mali i Jushit, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Nga kontrollet në dy banesa të përshtatura për kultivimin, tharjen dhe përpunimin e kanabisit, Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale:

583 bimë të dyshuara narkotike kanabis,
7 kg e 490 gram kanabis,
307 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike,
3 aparate celularë.
  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos