Një 25-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane, pasi ishte përfshirë në një rrjet të shpërndarjes së kokainës. Ai u kap në një pikë kontrolli përgjatë Via Gori në Foligno.
Mediat italiane bëjnë të ditur se gjatë kontrollit në makinën që i riu shqiptar e kishte marrë me qira iu gjetën 51 pako kokainë (32 gramë) të fshehur brenda saj.
Sipas asaj që raportojnë mediat fqinje, shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë.
Ai u vu nën arrest dhe sipas urdhrit të autoriteteve gjyqësore, u mbajt në qelitë e paraburgimit, në pritje të masës së sigurisë.
Ndërkohë karabinierët në Magione arrestuan një grua 51-vjeçare shqiptare, pa një banesë fikse në Itali dhe e njohur për policinë, së cilës iu gjet kokainë. Oficerët më parë kishin ndaluar dy burra në një makinë në komunën e Magione, me përkatësisht 0.7 gramë dhe 1.3 gramë kokainë, dhe duke i raportuar ata në Prefekturë si "përdorues". Një kontroll i mëvonshëm i shtëpisë së njërit prej burrave u lejoi oficerëve të gjenin një grua me origjinë shqiptare brenda. Pasi pa karabinierët, ajo u përpoq të asgjësonte tre qese që përmbanin gjithsej 1.70 gramë kokainë. (A2 Televizion)