Moti i keq, përmbytje të mëdha edhe në Lezhë

Nga A2 CNN
6 Janar 2026, 10:09 | Kronikë

Moti i keq, përmbytje të mëdha edhe në Lezhë

Reshjet intensive të shiut kanë përfshirë Qarkun Lezhë gjatë gjithë natës dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, duke shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore, probleme në shkolla dhe rritje të ndjeshme të niveleve të lumenjve.

Sipas të dhënave zyrtare të raportuara më 06.01.2026, në orën 08:40, territori i qarkut ka përjetuar reshje me intensitet mesatar deri të lartë. Stacioni Meteorologjik Ushtarak i Gjadrit raporton se në 24 orët e fundit kanë rënë 96 mm shi.

Bashkia Kurbin

Strukturat e Emergjencave Civile bëjnë me dije se reshjet kanë qenë të pandërprera gjatë gjithë natës, herë pas here me intensitet të lartë dhe të shoqëruara me vetëtima. Sipas të dhënave, në këtë bashki kanë rënë rreth 105 mm shi. Hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë, ndërsa kuotat janë në nivelin -20.

Deri më tani raportohet vetëm një rast në Milot, ku një familje ka pasur prezencë uji në banesë. Nivelet e ujërave në kanale janë rritur ndjeshëm për shkak të prurjeve të mëdha. Furnizimi me ujë dhe energji elektrike vijon normalisht dhe nuk ka raportime për ndërprerje të procesit mësimor.

Bashkia Lezhë

Situata paraqitet më problematike. Raportohet prezencë e madhe uji në oborret e shkollave “Kosova” dhe “Gjergj Fishta”, duke e bërë të pamundur zhvillimin e mësimit. Niveli i lumit Drin ka arritur kuota kritike, duke hyrë në zonën e rrezikut të lartë mbi +2.2 metra.

Sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore janë përmbytur në Zadrimë, veçanërisht në zonat Gjadër, Zojz dhe Gramsh (njësia Dajç), Kodhel, Brinisht dhe Piraj (njësia Blinisht), Torovicë, Malecaj dhe Balldren (njësia Balldren), Rrabosht dhe Mërqi (njësia Kallmet), Spiten dhe Tresh (njësia Zejmen), si dhe Barbullojë, Rrilë, Tale dhe Grykë Lumi (njësia Shënkoll).

Një familje në fshatin Torovicë, njësia Balldren, ka kërkuar ndihmë emergjente me çadër dhe bazë ushqimore për blegtorinë, pasi uji ka hyrë në banesë deri në rreth 50 cm. Kanalet e nivelit I, II dhe III janë në kuota maksimale, ndërsa ekipet e MZSH po punojnë për largimin e ujit nga oborret e shkollave.

Nga OSHEE raportohet problem me fiderin që furnizon fshatrat Shënkoll, Gajush dhe një pjesë të Tales.

Bashkia Mirditë

Edhe në Mirditë reshjet kanë qenë me intensitet të lartë gjatë pasdites së djeshme dhe natës, por deri tani nuk raportohen problematika serioze. Është vërejtur rritje e nivelit të Zallit të Zmesë pranë qytetit të Rrëshenit, pa rrezik aktual për banesa. Në disa zona periferike si Ndërfushas dhe Kodër Rrëshen ka pasur mungesë të energjisë elektrike.

Situata e përgjithshme

Furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike në qark ka vijuar përgjithësisht normalisht. Hidrovorët janë në gadishmëri dhe po punojnë me kapacitet maksimal, ndërsa zonat që kullojnë përmes tyre janë në kuota kritike. Lumenjtë e KUK-ut janë gjithashtu në nivele kritike.

Niveli i lumit Drin ka shënuar rritje të madhe dhe ndodhet në kuota të rrezikut të lartë, ndërsa edhe lumi Mat ka pësuar rritje. Deri në këto momente nuk raportohen probleme me akset rrugore.

Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës dhe mbeten në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos