Musabelliu vlerëson punën e Krajës dhe Dumanit, shmang krahasimet

Nga A2 CNN
11 Dhjetor 2025, 12:39 | Kronikë

Gjatë seancës së dëgjimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, kandidatja për drejtimin e SPAK, prokurorja Doloreza Musabelliu, u pyet për vlerësimin e saj ndaj punës së dy drejtuesve të deritanishëm të institucionit, Arben Kraja dhe Altin Dumani. Ajo theksoi se krahasimi mes tyre është i padrejtë, pasi secili ka punuar në rrethana të ndryshme dhe me sfida të veçanta.

Sipas Musabelliut, Kraja e mori drejtimin e SPAK në një moment kur struktura sapo kishte nisur funksionimin dhe përballej me mungesa të mëdha infrastrukturore e organizative. “Kraja ka qenë në momentet e fillimit kur gjërat nuk ishin bërë ende funksionale. Nuk kishim godinë, nuk kishim hetues, ishte periudha e COVID-it. Të bësh krahasim duhet të kesh kushte të njëjta”, u shpreh ajo, përcjell A2 CNN. “Secili ka bërë maksimumin e vet”.

E njëjta vlerësim pozitiv iu dha edhe Altin Dumanit, për periudhën e të cilit Musabelliu tha se shumë çështje kishin arritur në një fazë pjekurie dhe kërkonin vendimmarrje të guximshme. “Në kohën e Dumanit pati çështje që evoluuan shumë dhe pati guximin t’i çonte para”, u shpreh ajo.

Musabelliu vuri në dukje se të dy drejtuesit kanë pasur një komunikim efektiv me stafin dhe kanë nxitur prokurorët të ecin përpara me çështjet, veçanërisht ato që ishin drejt përfundimit. Ajo nënvizoi se vetë nuk e krahason veten me askënd, duke theksuar se fokusi i saj është te puna dhe integriteti profesional. “Unë bëj atë që mund të bëj. Nëse kjo është më e mirë apo më keqe, unë bëj të mirën time”, tha prokurorja.

Duke folur për cilësitë e saj, Musabelliu theksoi se pavarësia, vendosmëria dhe aftësia për komunikim me kolegët janë elementët që do ta karakterizonin nëse do të zgjidhej në krye të SPAK. Ajo shtoi se gjatë karrierës së saj është mësuar t’u bëjë ballë presioneve, duke i konsideruar këto aftësi thelbësore për drejtimin e një strukture të tillë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos