Një inxhinier dhe një punonjës që punonin pranë një ndërtimi pa leje në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë, janë vënë në pranga nga policia.
Përveç dy të arrestuarve në flagrancë, policia ka shpallur në kërkim 37-vjeçarin, për llogari të të cilit po ndërtohej objekti. Penalisht është proceduar edhe babai i tij.
“Në vijim të kontrolleve dhe verifikimeve që po kryhen me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të ndërtimeve të paligjshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 konstatuan se pas një banese ekzistuese në zonën e quajtur “Kodra e Diellit”, po kryheshin punime pa leje, për ndërtimin e një objekti të ri. Për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit N. V., 37 vjeç dhe A. D., 28 vjeç, përkatësisht inxhinieri që drejtonte punimet dhe 1 punonjës; u shpall në kërkim pronari i banesës, shtetasi S. I., 37 vjeç; u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për babanë e 37-vjeçarit, shtetasin B. I., i cili ndiqte punimet. Vijon puna për kapjen e shtetasit S. I.”, njofton policia. (A2 Televizion)