“Në Elbasan u vranë 6 veta për 10 sekonda”, ish-drejtori i policisë tregon edhe se si nisi prosituimi në vend

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2025, 22:46 | Kronikë

Veli Myftari, ish-drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, tregoi se si në Elbasan ndodhi një “luftë frontale” ku u vranë 6 veta për 10 sekonda.

“Në 1997 u dëmtua sistemi ekonomik, duke i marrë paratë njerëzve me firmat piramidale dhe populli u ngrit. Ju morën Shqipërisë 550 mijë armë të asaj kohe dhe 4 miliardë fishekë. U shpërndanë në popull dhe kur mundëm të krijojmë strukturat për t’i grumbulluar këto armë, kemi kthyer vetëm 1/3 e atyre armëve. Të tjerat janë trafikuar. Njerëzit u mësuan me armë nëpër duar. Armët i morën kriminelët, të cilët u përfeksionuan nëpër grupime. Në 10 minuta me një armë u vranë pesë veta në Elbasan. Në një vend tjetër për 10 sekonda, në rrugën e varrezave u vranë gjashtë veta. Flas për djem të rinj. Dhe më keq akoma, në mes të Elbasanit për 24 orë është bërë luftë frontale dhe janë vrarë katër veta, janë plagosur katër të tjerë përfshi këtu dhe Tan Kateshin. Kishim në Fier, në Levan u bë masakër. Kështu patëm në Shkodër... Është vazhdë e asaj historie që erdhi deri në këto ditë që flasim sot. U shfrytëzua pikërisht ky kontigjent që paska mundësira për të goditur, për të vrarë, për të arritur pastaj dhe në ngjarje të tjera të sotshme”, tha Myftari.

Ish-drejtori i policisë tregoi edhe si nisi prostitucioni: “Filloi si asnjëherë në jetën shqiptare të merren femrat dhe të dërgohen jashtë shtetit për prostitucion. Unë kam një eksperiencë negative të një miku tim nga Shkupi, në Romë. Kishin parë në orën 12 të natës një femër, kishte ndaluar dhe vetëm nga theksi kishin kuptuar që ishte shqiptare. Ajo i kishte kërkuar një sasi lekësh, por ai i tha “unë nuk shkoj me motrat e mia” dhe i kishte dhënë 100 mijë lireta, duke i thënë “shko në polici, denoncoje dhe mos u duk më në këto rrugë”.

“Sa vajza të tilla janë marrë nga universitetet apo në rrugë të tjera dhe janë trafikuar jashtë vendit. Po është e vogël kjo? Shumë e rëndë, shumë e madhe”, shtoi Veli Myftari. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos