Në Francë aktivistja turke mori azil, lihet në burg 32-vjeçarja: Jam kundërshtare e Erdogan

Nga Igli Çelmeta
7 Gusht 2026, 15:04 | Kronikë

Aktivistja turke Julide Yazici, u la në burg nga Gjykata e Tiranës, deri në mbërritjen e dokumentacionit zyrtar nga Turqia që kërkon ekstradimin. Ankaraja zyrtare do të ketë 40 ditë afat për paraqitjen e dokumentacionit për vijimin e procedurave.

Në seancë shtetësja turke pretendoi se përndiqet politikisht për shkak të bindjeve politike dhe për këtë arsye nuk pranon ekstradimin drejt Turqisë. Ajo shtoi se ka protestuar kundër Presidentit Erdogan dhe se i rrezikohet jeta nëse kthehet në atdhe.

32-vjeçarja, me profesion mësuese, u arrestua më 5 gusht në Rinas, teksa udhëtonte nga Franca ku ka marrë azil politik drejt Shqipërisë.

Pas verifikimeve nga Policia, e reja rezultoi se ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankaraja, pasi është dënuar nga Gjykata e Stambollit me 4 vite e 2 muaj burg për veprat penale "dhënie ndihme logjistike për organizatë terroriste" dhe "pjesëmarrje në organizatë terroriste". Nga ky dënim, sipas autoriteteve turke, asaj i kanë mbetur për të vuajtur 3 vite, 5 muaj dhe 22 ditë burg.

Pas caktimit të masës së sigurimit arrest në burg, do të jetë sërish gjykata e Tiranës që do të shprehet lidhur me kërkesën e Turqisë për ekstradimin ose jo të saj. Shtatë vite më parë, gjatë kohës që ishte studente, Yazici mori pjesë në protesta kundër qeverisë së presidentit Erdogan. Ajo u arrestua fillimisht në vitin 2016, ndërsa autoritetet turke e akuzuan për lidhje me organizatë terroriste. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos